Rregullore Organizative

FORUMI I GRUAS I LIDHJES DEMOKRATIKE TË DARDANISË
Kjo rregullore është baza formale për funksionimin e Forumit të Gruas të Lidhjes Demokratike të Dardanisë, i cili është themeluar në pajtim me Statutin e Lidhjes Demokratike të Dardanisë

Neni 1 –Karakteri, Akronimi, Selia dhe Financimi

1.1. Forumi i Gruas i Lidhjes Demokratike të Dardanisë është organizatë e anëtareve femra të Lidhjes Demokratike të Dardanisë.
1.2. Forumi i Gruas i Lidhjes Demokratike të Dardanisë e realizon aktivitetin e vet në duke u mbështetur në këtë rregullore dhe programin e saj të punës, në përputhje me statutin dhe programin e LDD-së .
1.3. Akronim i Forumit të Gruas të Lidhjes Demokratike të Dardanisë është FG LDD.
1.4. FG LDD ka vulën dhe shenjën e vet.
1.5. Selia e FG LDD është në Prishtinë
1.6. Veprimtaria e FG LDD financohet nga Fondi i LDD-së, nga donatorët dhe burime të tjera, në pajtim me ligjet në fuqi.

Neni 2 –Vizioni, Misioni dhe Parimet

2.1. Vizioni i FGLDD
Vizioni i FG LDD është ruajtja e vlerave tradicionale të Kosovës dhe zhvillimi i demokracisë dhe prosperitetit shoqëror në bazë të vlerave Euro-Atlantike, përmes avancimit dhe përparimit të rolit të femrave në të gjitha fushat e jetës.

2.2. Misioni i FGLDD
Misioni i FGLDD është emancipimi, pjesëmarrja aktive e femrave në jetën politike dhe shoqërore përmes përfaqësimit dhe kontributit të tyre në vendimarrjen partiake dhe shtetërore të Kosovës.

2.3. Aktivititet e FG LDD janë të udhëhequra nga këto parime:
Kultivimi i frymës demokratike dhe shtetërore të Presidentit Rugova
Vendimarrje të përgjegjshme, demokratike dhe transparente
Inkurajimi i kreativitetit dhe pluralizimit të ideve
Përkushtimi, vullnetarizmi dhe kolegialiteti
Bashkëpunimi me institucionet me karakter të ngjajshëm si vendore ashtu edhe ndërkombëtare

Neni 3. Të drejtat dhe detyrimet e anëtareve dhe pushimi i anëtarësisë

3.1. Anëtar i FG LDD mund të jetë çdo anëtare apo simpatizante e LDD
3.2. Anëtaret e FG LDD kanë të drejtë:
Të marrin pjesë në mbledhjet e strukturës ku zhvillojnë aktivitetin e tyre politik, në përputhje me dokumentet normative të FG LDD
Të zgjedhin dhe të zgjedhen në të gjitha organet e FG LDD.
Të njihen me çdo vendim të marrë nga organet e FG LDD dhe me të gjitha aktivitetet dhe veprimtaritë që kryejnë ato.
3.3.1 Anëtaret e FG LDD kanë këto detyrime:
Të respektojnë dhe zbatojnë programin e punës, vendimet dhe aktet e tjera të strukturave përkatëse organizative të FG LDD
Të punojnë për përmbushjen e qëllimeve të Programit të FG LDD dhe të LDD-së.
3.4 Pushimi i anëtarësisë:
Anëtarësia pushon në rast se anëtarja largohet me vetëdëshirë apo përjashtohet nga FG LDD.
Çdo zyrtare e FG LDD që nuk është aktive në nivelin përkatës të organizimit të FG të LDD-së dhe e cila nuk merr pjesë në 3 ( tri ) mbledhje të njëpasnjëshme, si dhe nëse për këtë nuk siguron një sqarim të arsyeshëm ( të pranueshëm ) për mungesën e saj, do të konsiderohet se ka pushuar së ushtruari postin përkatës.
Çdo anëtare mund të lëshojë FG LDD me vullnetin e saj, duke njoftuar me shkrim organin e FG të LDD-së ku ajo e zhvillon veprimtarinë.

Neni 4. Struktura Organizative e FG të LDD-së

FG LDD organizohet në këto nivele:
1. Nëndegë
2. Degë
3. Organet kombëtare

Neni 5. Nëndega

Është njësia bazë organizative e FG LDD. Organizohet në bazë territori sipas vendimit të Kryesisë së Degës së FG LDD . Nëndega e zhvillon veprimtarinë e saj në koordinim me Kryesinë e Degës përkatëse.
Numri i anëtareve të Kryesisë së nëndegës përcaktohet nga Kryesia e Degës përkatëse.
Nëndega drejtohet nga Kryesia e saj, dhe numri i anëtareve të saj përcaktohet nga Kryesia e Degës përkatëse, varësisht nga numri i anëtareve të nëndegës.
Kryesia zgjedhet në Kuvendin Zgjedhor me shumicë votash. Forma e votimit vendoset nga Kuvendi Zgjedhor.
Kryesia zgjedh Kryetaren, nënkryetaren dhe sekretaren
Në Kuvendin Zgjedhor gjithashtu zgjedhen delegatet për Kuvendin e Degës. Numrin e delegatëve e përcakton Kryesia e Degës.
Mbledhjet e Kryesisë së nëndegës i thërret Kryetarja ose në munges të saj nënkryetarja.
Kryesia e nëndegës duhet të mbajë së paku një herë në muaj mbledhje punuese.
Në mënyrë periodike, nëndegët i raportojnë Degës për veprimtarinë e tyre

Neni 6. Dega

Dega e FG LDD formohet me vendim të Kryesisë së FG LDD, në bazë komune apo ndarjeje tjetër administrative.
Dega konstituohet në Kuvendin zgjedhor në të cilin marrin pjesë delegatet e zgjedhur nga nëndegët.

Kuvendi zgjedh edhe delegatet për Konventen Kombëtare. Numrin e delegateve nga degët e përcakton Kryesia e FG LDD.
Kuvendi i Degës nga anëtarësia e saj zgjedh me shumicë votash të numrit të përgjithshëm të tij, Kryetaren dhe Kryesinë e Degës.
Përpos Kryetares, Kryesinë e Degës e përbëjnë, dy nënkryetare, sekretarja dhe më së shumti edhe 17 anëtarë të tjerë.
Kryetarja e Degës udhëheq me punën e degës dhe Kryesinë e saj.
Kuvendi i Degës me parim të njëjtë si të zgjedhjes mund ta shkarkoj Kryetaren dhe Kryesinë e Degës.
Në kuadër të Kryesisë së Degës funksionojnë komisionet e veçanta.
Vendimin për themelimin e komisioneve e merr Kryesia e Degës.
Dega nuk mund të formoj komisione për çështje të politikave programore dhe komisione për marrëdhënieve me jashtë.
Komisionet udhëheqen nga anëtare të caktuara të Kryesisë së Degës
Kryesia e Degës mund të kooptojë 1/3 e anëtarëve të saj, nga anëtarët me numër më të madh të votave të listës zgjedhore të Kuvendit të Degës.
Mbledhjet e Kryesisë i thërret dhe udhëheq Kryetarja. Në mungesë të tij mbledhjet mund t’i udhëheqë njëra nga nënkryetaret ose sekretarja e Degës
Për veprimtarinë e tyre degët i raportojnë Kryesisë Qendrore në mënyrë periodike, së paku në çdo tre muaj.
FG LDD ka të organizuara edhe degët në diasporë.

Neni 7. Organet Kombëtare

Organet Kombëtare të FG LDD-së janë:
Konventa e FG LDD
Këshilli Kombëtar
Kryetarja e FG LDD
Kryesia e FG LDD

Neni 8 Konventa e FG LDD

Konventa është organi më i lartë i FG LDD.
Konventen e përbëjnë delegatet e zgjedhura në kuvendet e degëve. Numrin e delegateve nga secila Degë e përcakton Kryesia e FG LDD.
Konventa i zhvillon punimet e tij nëse janë të pranishëm mbi 2/3 e delegateve.
Vendimet merren me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i delegateve të pranishme.
Me punën e Konventës udhëheq Kryetarja dhe Kryesia e punës e zgjedhur në Konvent.
Konventa e rregullt mbahet së paku çdo dy vite.
Konventën e rregullt mund ta thërras: Kryetarja apo Këshilli Kombëtar i FG LDD.
Sipas nevojës, mund të thirret edhe Konventa e Jashtëzakonshme
Konventen e Jashtëzakonshme mund ta thërras: Kryetarja, 2/3 e Keshillit Kombëtar ose 1/3 e delegateve të Konventes.
Delegatet duhet të njoftohen me datën dhe vendin e mbajtjes së mbledhjës së Konventës, si dhe me rendin e propozuar të punës, së paku 7 ditë përpara mbajtjes së mbledhjes.
Konventa e FG LDD:
- Miraton rregulloren organizative të FG LDD
- Orientimet dhe objektivat strategjike të FGLDD
- Miraton ndryshimet dhe plotësimet e dokumenteve normative të FG LDD,
- Aprovon deklarata e rezoluta
- Propozon ndryshimet e dokumenteve normative të LDD per nevojat dhe poziten FG të LDD
- Zgjedh Këshillin Kombëtar të FGLDD
- Zgjedh Kryetaren e FG LDD
- Shqyrton dhe vlerëson punën e organeve të FG LDD.

Neni 9. Këshilli i FG LDD

Këshilli Kombëtar është organi më i lartë qeverisës i FG LDD në mes të dy Konventave.
Këshilli Kombëtar i FG LDD mblidhet së paku dy herë në vit.
Mbledhjet e Këshillit i thërret Kryetarja e FG LDD, ndërkaq në raste të veçanta mbledhjen e Këshillit Kombëtar mund ta inicioj edhe shumica e anëtareve të tij.
Mbledhjet e Këshillit i udhëheq Kryetarja, ndërkaq, në mungesë të saj me
këtë mund ta bëjnë nënkryetaret apo sekretarja e përgjithshme.
Këshilli Kombëtar i FG të LDD përbëhet prej 123 anëtareve.
Këshilli Kombëtar i FG LDD:
o Zgjedh dhe shkarkon me shumicë votash të numrit të përgjithshëm të tij, nënkryetaret, sekretaren dhe anëtaret e tjera të Kryesisë me propozimin e Kryetares.
o Mund të inicioj shkarkimin e Kryetares së FG LDD.
o Aprovon strategjinë zhvillimore të FG LDD të propozuar nga Kryetarja
o Aprovon programin njëvjeçar të punës të propozuar nga Kryetarja.
o Shqyrton dhe vlerëson punën e Kryetares dhe Kryesisë.
o Aprovon të gjitha dokumentet normative të FG LDD dhe organe të punës, përpos atyre të aprovuara nga Konventa e FG LDD-së.
o Aprovon dhe vlerëson raportet financiare të FG të LDD-së
Këshilli i FG LDD ka të drejtë të kooptojë deri 1/3 e anëtareve të veta nga lista e kandidatëve të propozuar në Konventë, në rast të pushimit të anëtarësisë së anëtareve aktuale të Këshillit.
Këshilli i FG LDD-së propozon përfaqësueset e saj në organet drejtuese të partisë.
Bazuar në Statutin e LDD-së propozon listën e grave kandidate për deputete për zgjedhjet lokale dhe nacionale.

Neni 9 Kryesia

Kryesia e FG LDD është organ ekzekutiv që drejton punën e FG LDD.
Kryesinë e FG LDD e përbëjnë: 4 nënkryetare, sekretarja e përgjithshëm dhe 19 anëtare të tjera. Anëtaret e Kryesisë duhet të jenë anëtare të Këshillit Kombëtar
të FG LDD.
Kryesia udhëhiqet nga Kryetarja e FG LDD.
Kryesia:
o Zbaton vendimet dhe qëndrimet e Konventës, Këshillit dhe Kryetares
o Përcjellë realizimin e aktiviteteve nëpër degë dhe nëndegë.
o Harton rregullore të posaçme të punës
o Mbledhjet e Kryesisë i thërret dhe i drejton Kryetarja. Në mungesë të saj, kjo bëhet nga njëra nga nënkryetaret apo sekretarja e përgjithshme.
o Kryesia, nën mbikqyrje të Kryetares, përgatitë raportet periodike dhe propozon rendin e ditës për mbledhjet e Konventës së FG LDD.
o Mbanë mbledhje periodike me anëtarët e FG të LDD përfaqësues në insitucionet qeverisëse.
Nënkryetaret, Sekretarja dhe anëtarët e Kryesisë:
o Udhëheqin individualisht me Komisionet gjegjëse të FG LDD
o Propozojnë anëtaret e Komisioneve të cilat i udhëheqin
o Përgatisin strategjinë zhvillimore të Komisioneve respektive dhe planet njëvjeçare të punës tyre
o Planifikojnë dhe koordinojnë punën e komisioneve

Neni 10. Kryetarja

Kryetarja zgjedhet në Konvente nga së paku dy kandidatura, me votim të fshehtë dhe me shumicë votash të anëtareve të pranishme nese Konventa nuk vendos ndryshe .
Të drejtë kandidimi për kryetare kanë vetëm kandidatët që janë delegate të Konventes së FG LDD.
Kryetarja mund të rizgjedhet.
Kryetarja përfaqëson FG LDD në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Udhëheq me punën e FG LDD dhe për të i përgjigjet Konventës dhe e njofton Këshillin Kombëtar.
Kryeson mbledhjet e Këshillt dhe implementon vendimet e tij.
Propozon përberjen e Kryesisë
Thërret mbledhjet e Kryesisë dhe të Këshillit të FG LDD
Aprovon propozimet për strategjinë zhvillimore të Komisioneve individuale të FGLDD
Në bashkëpunim me Kryesinë përgatitë strategjinë zhvillimore të FG LDD dhe programin e punës
Autorizon personat për përfaqësimin e FG LDD dhe cakton përbërjen e delegacioneve për përfaqësim të FG LDD.
Siguron prezentimin e fuqishëm të imazhit pozitiv të FG LDD

Neni 11. Komisionet

Në kuadër të Kryesisë së FG LDD funksionojnë komisionet e veçanta, të cilat janë organe profesionale me karakter planifikues dhe operacional.
Anëtaret e Komisioneve duhet të jenë anëtare të FG LDD.
Anëtaret e Komisioneve i miraton Kryesia.
Komisionet duhet të kenë së paku 5 anëtarë.
Komisionet e FG LDD janë:
a) Komisioni për Platformë Programore dhe Zhvillim të Politikave,
b) Komisioni për Zhvillim Organizativ dhe të resurseve njerëzore,
c) Komisioni për Marrëdhënie me Publikun,
d) Komisioni për Financa,
e) Komisioni për Punë me Degët dhe Rekrutim,
f) Komisioni për Marrëdhënie me Jashtë,
g) Komisioni për Edukim,

h) Komisioni per Teknologji Informative
i) Komisioni për Shëndetësi,
j) Komisioni për politika te fuqizimit te grave ne ekonomi dhe punësim,
k) Komisioni për Çështje juridike dhe statutore,
l ) Komisioni për mbrojtje të ambientit,
m) Komisioni për barazi gjinore,
n) Komisioni për Kulturë,
Me propozim të Kryetares të FG LDD dhe aprovim të Këshillit mund të krijohen edhe komisione të reja që udhëhiqen nga anëtare të zgjedhura të Kryesisë.

Neni 12. Hyrja në fuqi e Rregullores së FG LDD

Kjo rregullore hyn në fuqi me aprovimin e saj nga Konventa e FG LDD

Prishtinë, 29.04.2007