LDK flet ndryshe, vepron ndryshe

Feb 26, 2013

Pa kaluar as dhjetë ditë nga manifestimi me rastin e gjashtë vjetorit të themelimit të LDD-së, manifestim ky ku pata rastin të marr pjesë si aktivist i LDD-së, dhe ku sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, mbajti një fjalë “përshëndetëse” shumë të zjarrtë, në të cilën ai shprehu gatishmërinë e partisë së tij sinqerisht të bashkëpunoj me LDD-në më parë se me të gjitha partitë tjera ngase “jemi vëllezër” që kemi dal nga një shtëpi, pardje u pa ky sinçeritet i tij dhe i LDK-së. Në media u dha njoftimi se dega e LDD-së në Ferizaj u shkri në degën e LDK-së!

Fillimisht më duhet të them se nuk është aspak e vërtetë se ka ndodhur shkrirja e LDD-së në LDK në Ferizaj. Besoj ju kujtohet para afro tri vitesh, mediat e kishin dhënë të njejtin lajm “LDD në Ferizaj shkrihet në LDK”. Vetëm se atëherë ishte Adem Salihaj ai që ishte shkrirë dhe jo LDD. Tani prap i njejti lajm, por tash prap ju themi: u shkri Sahiti dhe jo LDD! Fakt është se kryetari i degës Sahit Krasniqi, nënkryetarja Sinavere Rysha dhe disa bashkëmendimtarë të tyre kanë treguar fytyren e tyre të vërtetë, kanë treguar se nuk kanë aspak dinjitet, përndryshe si kthehet njeriu në një shtëpi nga e cila është përzënë dhe pasi që e ka mbaruar shtëpinë e vete!?

Nuk është hera e parë që Sahit Krasniqi e tradhëtoi kryetarin Daci. Dihet publikisht se Sahiti, në kundërshtim me vendimin e Kryesisë së LDD-së, kishte bërë koalicion me LDK-në, për ta përkrahur Adem Salihajn, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të vitit të kaluar për kryetar të Ferizajt. Po këtë Adem për të cilin kishte folur zi e terr derisa vet kishte ardhur në krye të LDD-së në Ferizaj dhe Ademi ishte kthyer në LDK. Dhe, dihet rezultati i këtij bashkimi. PDK bindshëm kishte fituar ngase LDD nuk e kishte përkrahur Ademin. Kryetari Daci nuk kishte marr pjesë në asnjë tubim parazgjedhor.

Nga burimet e sigurta merret vesh se ish-kryetari i degës Sahiti, që njëherit ishte edhe anëtar i kryesisë së LDD-së, si njeri ndër njerëzit më të pasur në kryesinë e LDD-së, për dy vite e gjysëm sa funksionon partia pa asnjë buxhet, nuk ka dhënë asnjë euro për financimin e saj!

Sinavere Rysha si ish-ktyetare e Forumit të Gruas të LDD-së kishte pasur përkrahjen e parezervë të akademik Dacit prejse kishte qenë deputete e LDD-së, por tashmë ajo vetëm do ta ëndërroj një funksion të tillë.

Nuk është hera e parë që kryetarin Daci e tradhëtojnë, i ngulin “thikë pas shpine” edhe njerëzit më të afërm, por ai asnjëherë nuk është dorëzuar e as që dorëzohet, gjithmonë ka dal edhe më i fortë e kështu do të jetë edhe kësaj here. Nuk është dorëzuar nga viti 1968 kur ishte profesori i parë në UP që fillon që studentëve t’ju ligjëroj në gjuhën tonë shqipe ( dhe unë jam dëshmitar i kësaj ngase e kisha profesor në atë kohë ) aq më pak sot. A e di kush se ku janë sot ata që e tradhëtuan që ia kthyen shpinën!? Adem Salihaj, Berim Ramosaj, Naser Rugova, Sejdë Tolaj, Sokol Haliti, Jakup Bajrami, Shefqet Ukaj…Ju lutem, a mos di kush gjë për fatin e tyre? LDD mundet pa të gjithë këta. LDD nuk mundet vetëm pa themeluesin e saj, akademik Nexhat Daci.

A thua Isa Mustafa dhe Ismet Beqiri nuk kishin dijeni për këtë “shkrirje” të LDD-së në LDK në Ferizaj!? Apo, ndoshta ata kësisoji e mendojnë bashkëpunimin me LDD-në! Pas këtij mashtrimi të LDK-së unë i bëj thirrje kryetarit Daci që të heq dorë nga bashkëpunimi i mëtejm me LDK-në. Me këtë LDK-ja e ka humbur aleatin më të madh të saj, të mundëshëm. LDD-ja duhet të bashkëpunoj me ato subjekte që e respektojnë sinçerisht.

Nuk bën të na çudisë fakti se edhe ndonjë anëtar tjetër i kryesisë së LDD-së ta tradhëtoj akademikun e nderuar, por jam i bindur që, ata që bëjnë sabër, pas zgjedhjeve të ardhshme nacionale, të cilat dhashtë zoti të mbahen sivjet, LDD-ja do të jetë pjesë e qeverisjës në Kosovë, ndërsa kryetari Daci do ta ketë vendin e merituar.

Ne, dardanët e Ferizajt, shumë shpejt do të mblidhemi dhe do ta konsolindojmë kryesinë e re të degës tonë, e cila do të jetë besnike e vendimeve të kryetarit dhe Kryesisë së LDD-së.

Ahmet Shabani, Prelez, Ferizaj