Statuti Statuti i Lidhjes Demokratike të Dardanisë

I.DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

Neni 1

Lidhja Demokratike e Dardanisë (në tekstin e mëtejmë: LDD) është Parti Politike e qytetarëve të lirë, e cila aktivitetin e vet politik e zhvillon në bazë të Programit, të Statutit dhe të dokumenteve të tjera të miratuara në Konventë.

Neni 2

- LDD vepron në mënyrë të pavarur në tërë territorin e Kosovës;
- LDD organizohet dhe vepron edhe jashtë Kosovës, në përputhshmëri me ligjet e shtetit
përkatës;
- Selia e Lidhjes Demokratike të Dardanisë është në Prishtinë.

Neni 3

- LDD e përfaqëson Kryetari i LDD;
- Në mungesë të Kryetarit, LDD e përfaqësojnë nënkryetari, sekretari i përgjithshëm, përkatësisht anëtari i autorizuar i Kryesisë së LDD;
- LDD mund ta përfaqësojnë edhe anëtarët e tjerë të LDD, në bazë të autorizimit të Kryetarit apo të Kryesisë së LDD.

Neni 4

- LDD ka vulën, shenjën – akronimin, logon dhe flamurin e saj;
- Formën dhe përmbajtjen e vulës, shenjës-akronimit, llogon dhe flamurit të LDD, e përcakton Këshilli Kombëtar me propozimin e Kryesisë;
- Vulë kanë edhe degët e LDD, forma dhe përmbajtja e të cilave nuk mund të jetë ndryshe nga ajo e vulës së LDD (Qendrore);
- Ruajtja dhe përdorimi i vulës rregullohet me vendim të veçantë të Kryesisë.

II. ORIENTIMET PROGRAMORE DHE VEPRIMTARIA E LDD

Neni 5 

Orientimet programore dhe veprimtaria e LDD përcaktohen me Programin e saj politik dhe me dokumentet e tjera të miratuara në Konventën e LDD.

Neni 6

Puna e LDD dhe e organeve të saj është publike.

Neni 7

- Për synimet dhe veprimtarinë e saj, LDD, përmes mekanizmave të saj, e informon rregullisht anëtarësinë dhe opinionin;
- LDD përdorë forma të ndryshme të komunikimit me publikun.

Neni 8

- LDD ka web – faqen e vet zyrtare.

Neni 9

- Web – faqja e LDD mund të organizojë njësitë e veta në të gjitha Degët në Kosovë dhe Mërgatë.
- Web – faqja e LDD aktivitetin e vet e zhvillon konform Statutit dhe programit të LDD.

Neni 10

- LDD bashkëpunon me parti të tjera politike dhe me asociacione që veprojnë në Kosovë si dhe jashtë saj;
- LDD mund të anëtarësohet në asociacione tjera ndërpartiake në Kosovë dhe jashtë;
- Vendimin për anëtarësim në asociacione e merr Konventa e LDD, kurse në mes të dy Konventave – Këshilli Kombëtar i LDD.

III. A N Ë T A R Ë S I A

Neni 11

- Anëtar i LDD mund të bëhet çdo qytetar mbi moshën 18 vjeç i cili e pranon Programin dhe Statutin e LDD;
- Anëtarësimi bëhet me deklarim të lirë;
- Evidentimi në evidencën e anëtarësisë së degës së LDD dhe dorëzimi i librezës së anëtarësisë bëhet nga ana e përfaqësuesit të Degës;
- Nuk mund të jetë anëtar i LDD personi, puna dhe sjellja e të cilit është në kundërshtim me Programin dhe Statutin e LDD.

Neni 12

- LDD mund të ketë anëtarë nderi;
- Anëtarët e nderit, me propozimin e kryesisë së LDD, i shpall Konventa ndërsa ndërmjet dy Konventave shpalljen e bën Këshilli Kombëtar i LDD.

Neni 13

Të drejtat dhe detyrat e anëtarit të LDD janë:

- të përmbahet Programit dhe Statutit të LDD;
- të përmbahet vendimeve dhe orientimeve programore të LDD;
- të zgjedh dhe të zgjidhet në organet e LDD;
- të informohet për veprimtarinë e LDD;
- të ruaj nderin, autoritetin dhe interesat e LDD;
- ta paguaj anëtarësinë;
- gëzon të drejta dhe merr edhe detyrime të tjera të përcaktuara me Statut dhe me vendimet e organeve të LDD.

Neni 14 

Anëtarësimi në Lidhjen Demokratike të Dardanisë pushon me:

- dorëheqje nga anëtarësia,
- fshirje nga evidenca dhe
- përjashtim nga LDD

Neni 15

- Anëtari i LDD mund të japë dorëheqje nga anëtarësia, me ç’rast ai informon Kryesinë e Degës;
- Fshirja nga anëtarësia bëhet nga ana e Kryesisë së Degës, me ç’rast, në bazë të deklarimit të tij publik, konstatohet se ai më parë ka hequr dorë nga anëtarësia ose është anëtarësuar në parti tjetër politike;
- Iniciativën për fshirje nga evidenca, sipas alinesë paraprake, mund ta japë secili nga organet e LDD.

Neni 16

- Në kuadër të LDD veprojnë Forumi i Gruas dhe Forumi i Rinisë, të cilët aktivitetin e tyre e zhvillojnë në bazë të Programit dhe Statutit të LDD;
- Forumi i Gruas dhe Forumi i Rinisë kanë Rregullore të posaçme për punën e tyre;
- Në kuadër të LDD veprojnë edhe grupe të interesit, siç janë: Forumi i bizneseve, Forumi i politikave operacionale, Forumi i pensionistëve etj.
- Veprimtaria dhe organizimi i tyre rregullohet me Rregullore të veçantë.

IV. ORGANIZIMI I LDD

A. Konventa e LDD

Neni 17 

Konventa është organi më i lartë i LDD.

- Konventa e LDD përbëhet nga 501 delegatë;
- 401 delegatët përfaqësojnë degët e LDD në Kosovë në bazë të fuqisë elektorale;
- 50 delegat përfaqësojnë Degët e Mërgatës;
- 50 delegat përfaqësojnë radhët e autoriteteve me ndikim në rrethin e tyre dhe në fushën e shkencës, artit, kulturës dhe sportit;

- miraton, ndryshon dhe plotëson Programin dhe Statutin e LDD;
- përcakton orientimet themelore të veprimit politik të LDD;
- nxjerrë rezoluta, deklarata dhe merr vendime;
- zgjedh Kryetarin;
- zgjedh Këshillin Kombëtar të LDD;
- shqyrton dhe vlerëson punën e organeve qendrore të LDD dhe të organeve të tjera të LDD;
- vendosë për format e bashkëpunimit me partitë e tjera politike dhe me asociacionet ndërkombëtare;
- zgjedh Komisionin Statutar;
- kryen edhe punë të tjera në pajtim me Programin dhe Statutin e LDD.

Në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme, kur Konventa nuk mund të tubohet dhe ta ushtrojë veprimtarinë e vet, kompetencat e tij i merr Këshilli Kombëtar ose Kryetari i LDD.

Neni 18 

- Konventën e LDD e përbëjnë delegatët e zgjedhur në kuvendet e degëve;
- Në punën e Konventës marrin pjesë edhe anëtarët aktualë të Kryesisë dhe të Këshillit Kombëtar të LDD edhe nëse nuk janë të zgjedhur delegatë të Konventës përkatëse, por pa të drejtë vote.

Neni 19

- Konventa e rregullt zgjedhore e LDD mbahet një herë në 4 ( katër ) vite, në pajtim me Ligjin mbi Partitë Politike;
- Konventën e LDD e thërret Kryetari i LDD;
- Kryetari e propozon rendin e ditës së Konventës;
- Punën e Konventës së LDD e drejton Kryetari i LDD dhe Kryesia e punës e cila zgjidhet në Konventë;
- Me rregullore të veçantë, të cilën e miraton Konventa përcaktohet më hollësisht mënyra e punës së Konventës.

Neni 20

- Konventa e LDD thirret edhe atëherë kur këtë e kërkon 1/3 e delegatëve që e përbëjnë Konventën;
- Konventa e LDD sipas alinesë paraprake, duhet të mbahet në afatin prej 60 ditësh nga dita kur është shtruar kërkesa.

Neni 21

- Vendimet e Konventës dhe të Këshillit Kombëtar të LDD janë të plotfuqishme në qoftë se në mbledhje marrin pjesë më tepër se gjysma e anëtarëve të cilët e përbëjnë organin përkatës dhe nëse për to votojnë shumica e të pranishmëve;
- Vendimet në Konventë dhe zgjedhja e organeve të LDD merren me votim të hapur, përveç rasteve kur Konventa përcaktohet ndryshe.


B. Këshilli Kombëtar

Neni 22

Këshilli Kombëtar i LDD:

- Propozon projektin e Programit dhe të Statutit të LDD, si dhe plotësimet dhe ndryshimet e tyre;
- Nxjerr vendime dhe miraton orientimet – programore – politike të LDD;
- Kujdeset për realizimin e vendimeve të Konventës së LDD;
- Zgjedhë Kryesinë e LDD;
- Zgjedhë dhe emëron sektorët dhe trupat e tjerë punuese dhe ua përcakton detyrat;
- Miraton listën përfundimtare të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe kandidatëve për Kryetar Komune;
- Përcjellë realizimin e politikës së LDD nga ana e përfaqësuesve të saj në Kuvendin e Kosovës dhe në organet e tjera të pushtetit;
- Shqyrton dhe miraton Raportin punues të Kryesisë së LDD;
- Miraton Planin financiar të LDD.

Neni 23

- Këshillin Kombëtar të LDD e përbëjnë 101 anëtarë;
- Anëtarët e Këshillit Kombëtar zgjidhen nga Konventa e LDD;
- Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë është anëtar dhe kryetar i Këshillit Kombëtar, përkatësisht kryetar i Kryesisë së LDD;
- Në përbërjen e Këshillit Kombëtar të LDD, me të drejta të barabarta, hyjnë edhe Kryetarja e Forumit të Gruas dhe katër përfaqësues të cilët i cakton Forumi si dhe
- Kryetari i Forumit të Rinisë dhe katër përfaqësues të cilët i cakton Forumi;
- Anëtarët e Këshillit Kombëtar mund të rizgjidhen.

C. K r y e t a r i

Neni 24

Kryetari i LDD:

- E përfaqëson LDD;
- E udhëheqë punën e LDD dhe të organeve të saj;
- Merr vendim për thirrjen e mbledhjeve të Konventës të LDD;
- E thërret mbledhjen e Këshillit Kombëtar dhe të Kryesisë së LDD;
- Në pajtim me Programin dhe me Statutin e LDD mer vendim për shpalljen e zgjedhjeve në LDD;
- bënë propozimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar;
- bënë propozimin për përbërjen e Kryesisë së LDD;
- Zgjedh 50 delegat për Konventën e LDD nga radhët e autoriteteve me ndikim në rrethin e tyre dhe në fushën e shkencës, artit, kulturës, sportit etj.
- Propozon listën finale të kandidatëve për Deputet të Kuvendit të Kosovës dhe Kryetar të Komunave;
- Propozon kuadrot politike dhe profesionale në institucionet shtetrore të Republikës së Kosovës;
- Emëron shefin e grupit parlamentar në Kuvendin e Kosovës;
- Orienton politikat kadrovike në nivel të Degëve dhe jep pëlqimin për zgjedhjen e kryetarit të degës
- U jep autorizime personave të tjerë për përfaqësimin e LDD, si dhe cakton përbërjen e delegacioneve të LDD.

Ç. K r y e s i a

Neni 25

Kryesia është organ politiko-ekzekutiv i Këshillit Kombëtar të LDD.

Kryesinë e përbëjnë:

- Kryetari,
- 4 Nënkryetar,
- Sekretari i përgjithshëm,
- 17 anëtarë të tjerë të kryesisë.

Kryetarja e Forumit të Gruas dhe Kryetari i Forumit të Rinisë janë anëtarë të Kryesisë me të drejta të barabarta.

Neni 26

Anëtari i Kryesisë mund të rizgjidhet.

Neni 27

Kryesia e LDD:

- Merr vendime politike dhe vendime të tjera, po që se ato nuk janë në kompetencë të organeve tjera të LDD;
- Kujdeset për zbatimin e vendimeve të veta, dhe të vendimeve dhe qëndrimeve të Konventës, të Këshillit Kombëtar dhe të Kryetarit të LDD;
- Kujdeset për harmonizimin e punëve të degëve, të nëndegëve dhe të aktiveve të LDD, përcjellë realizimin e vendimeve të organeve të LDD dhe merr vendime konkrete lidhur me organizimin dhe funksionimin e tyre;
- Kryesia rregullisht analizon dhe përcjellë punën e çdo sektori të Kryesisë dhe për mos kryerjen e punëve, inicon përgjegjësinë e tyre;
- Në raste të veçanta pezullon punën e Kryesisë së Degës, si dhe thërret Kuvendin e Degës.
- Lidhur me vendimin e tillë Kryesia e njofton Këshillin Kombëtar;
- Përgatitë projektin e Programit dhe të Statutit të LDD, si dhe dokumentet e tjera;
- I paraqet raport vjetor për punën e vet Këshillit Kombëtar;
- Qeverisë pasurinë e LDD dhe për këtë një herë në vit i paraqet Raport financiar Këshillit Kombëtar;
- Kryesia e LDD me vendim të veçant vendos për përfaqësimin e Degëve të LDD, në Konventën e LDD, sipas fuqisë elektorale të tyre duke përjashtuar përfaqësimin e Prishtinës si Kryeqendër;
- Aprovon listën përfundimtare të kandidatëve për këshilltar komunal të komunave në Kosovë;
- Mer vendim për plotësime, emërime dhe shkarkime deri në 1/3 e kryesisë me propozim të Kryetarit të LDD, me këto vendime njoftohet Këshilli Kombëtar;
- Kryetari i LDD, përkatësisht Kryesia, kanë të drejtë të ndalin realizimin e vendimeve të organeve të LDD, të cilat janë në kundërshtim me Ligjin, me Programin dhe me Statutin e LDD, si dhe me vendimet e tjera të LDD.
- Me propozimin e Kryetarit të LDD, Kryesia, nga radhët e veta, cakton sekretarët për sektorët e veçantë të veprimtarisë së vet;
- Vendosë për dhënien e falënderimeve e të mirënjohjeve për merita e rezultate të punës;
- Kryesia e LDD dhe organet e LDD për punën e tyre mbajnë procesverbale të rregullta;
- Kryen edhe punë të tjera në pajtim me Programin dhe me Statutin e LDD;
- Për punën e vet Kryesia nxjerrë Rregullore të posaçme.

Neni 28

- Punën e Kryesisë e drejton Kryetari i LDD.
- Nënkryetari ose sekretari i përgjithshëm e zëvendësojnë Kryetarin e LDD, sipas autorizimit apo në rast të mungesës së tij.
- Kryesia emëron zëdhënësin e vet.

D. Sekretari i përgjithshëm

Neni 29

Sekretari i përgjithshëm i LDD kujdeset për organizimin e punës së Kryesisë dhe për zbatimin e vendimeve të Konventës, të Këshillit Kombëtar, të Kryetarit dhe të Kryesisë së LDD, si dhe udhëheq administratën.

Neni 30

- Bënë skemën organizative të administratës dhe bënë përshkrimin e detyrave të punës për çdo vend veç e veç.
- Është përgjegjës për menaxhimin e financave dhe pasuris së LDD.

Dh. Komisionin statutar

Neni 31

- Komisioni statutar është organ kolegjial dhe i pavarur i LDD;
- Komisionin statutar e përbëjnë Kryetari, zëvendësi i tij dhe anëtarë të tjerë;
- Komisionin statutar e zgjedh Konventa e LDD;
- Anëtarët e Komisionit statutar nuk mund të jenë anëtarët e LDD që janë të zgjedhur në vendet udhëheqëse, përkatësisht anëtarë të udhëheqësive të degëve të LDD, nëndegëve dhe të aktiveve.

Neni 32

- Komisioni statutar ka për detyrë që të kujdeset për ligjshmërinë e veprimeve të organeve të LDD, si dhe për harmonizimin e aktivitetit të tyre në pajtim me Ligjin dhe me Statutin e LDD.
- Po qe se Komisioni statutar konstaton se organi i LDD ka marrë ndonjë vendim i cili është në kundërshtim me aktet e lartshënuara, menjëherë ia tërheqë vërejtjen me shkrim atij organi dhe në të njëjtën kohë e njofton organin kompetent të LDD, i cili në bazë të dispozitave të këtij Statuti, pengon realizimin e një vendimi të tillë.

E. Degët, Nëndegët dhe Aktivet e LDD

Neni 33

- Degët, nëndegët dhe aktivet e LDD janë njësi të organizimit dhe të veprimit territorial të LDD
- Degët e LDD, përveç degëve të Prishtinës, janë njësi të organizimit në nivel të komunës, sipas ndarjes territoriale administrative të Kosovës;
- Në bazë të vendimit të Kryesisë së LDD, degët e LDD formohen edhe në shtete të jashtme.
- Degët e LDD në diasporë, krahas respektimit të Programit dhe Statutit të LDD, duhet të respektojnë edhe legjislacionin e vendit ku gjenden;
- Koordinimin e veprimit të Degëve në Kosovë dhe Mërgatë e bënë Kryesia e LDD nëpërmjet Koordinatorit me Degë të LDD;
- Për punën dhe organizimin e Degëve miratohet Rregullore e posaçme, e cila duhet të jetë në përputhje me Programin dhe Statutin e LDD.

33.1 LIDHJA DEMOKRATIKE E DARDANISË NË PRISHTINË 

- LDD e Prishtinës e përbëjnë 5 Degët e LDD së Prishtinë;
- LDD e Prishtinës ka kryesinë prej 15 anëtarësh, të cilën e përbëjnë Kryetarët, Nënkryetarët dhe Sekretarët e 5 Degëve të Prishtinës;
- Kryetarin e LDD në Prishtinë e emëron Kryetari i LDD;
- LDD në Prishtinë koordinon dhe ndihmon aktivitetin e Degëve të Prishtinës;
- Përcakton numrin e kandidatëve për këshilltar komunal për çdo Degë të Prishtinës;
- Bënë listën përfundimtare të kandidatëve për Këshilltar Komunal dhe i propozon kryesisë së LDD;
- Bënë propozimin inicial të kandidatit për Kryetar të Komunës së Prishtinës;
- Qëndrimet dhe vendimet e Kryesisë së LDD së Prishtinës janë obligative për Degët e Prishtinës;
- Kryesia e LDD së Prishtinës për punën e vet i përgjigjet Kryetarit të LDD.

Neni 34

Degët e LDD

- Organet e Degës së LDD janë: Kuvendi dhe Kryesia;
- Kuvendin e Degës e përbëjnë 101 delegatë të zgjedhur në kuvendet e nëndegëve.

Kuvendi i Degës së LDD:

- nxjerrë Programin e punës së Degës;
- shqyrton dhe miraton Raportin e punës së Kryesisë;
- zgjedh Kryesinë, kryetarin, zv/kryetarin, dhe sekretarin e Kryesisë së Degës;
- zgjedh delegatët për Konventën e LDD;
- Vendos për numrin e anëtarëve të kryesisë dhe strukturës së saj.

Neni 35

- Kuvendi zgjedhor i Degës mbahet çdo 4 ( katër ) vite dhe i paraprin Konventës së LDD;
- Dega mban kuvend pune në kuadër të mandatit sipas nevojës;
- Kuvendi i Degës konvokohet edhe atëherë kur këtë e kërkojnë 1/3 e delegatëve që e përbëjnë Kuvendin.

Neni 36

- Kryesia e Degës është organ politik ekzekutiv i Kuvendit të Degës dhe përgjigjet për realizimin dhe zbatimin e vendimeve të Kuvendit të Degës, si dhe të organeve më të larta të LDD;
- Kryesia mund të nxjerrë vendime dhe qëndrime të tjera politike, si dhe vendime tjera që kanë të bëjnë me territorin e Degës në të cilën vepron, në pajtim me Programin dhe me Statutin e LDD;
- Kryesia e Degës bashkërendon punën e nëndegëve dhe të aktiveve të Degës;
- Kryesia e Degës propozon listën iniciale të kandidatëve për këshilltarë komunal dhe për kandidatin për kryetar të komunës;
- Kryesia e Degës mer vendim për themelimin e Nëndegëve dhe Aktiveve në teritorin e vet;
- Në raste të veçanta, Kryesia e Degës, në marrëveshje me Kryesinë e LDD, mund të marrë vendim për pezullimin e punës se kryesive të nëndegëve, përkatësisht të aktiveve, si dhe ta konvokoj kuvendin e nëndegës, përkatësisht të aktivit.

Neni 37

- Numri i anëtarëve të Kryesisë së Degës caktohet në varësi nga numri i anëtarësisë, por jo më pak se (11) njëmbëdhjetë;
- Në mbledhjet e Kryesisë së Degës, me të drejta të barabarta, marrin pjesë edhe kryetarja e Forumit të Gruas dhe kryetari i Forumit të Rinisë.

Neni 38

Nëndegët e LDD

- Në bazë të vendimit të Kryesisë së Degës, nëndega e LDD, formohet në territorin e dy apo më shumë fshatrave, respektivisht lagjeve të qytetit;
- Organet e nëndegës së LDD janë Kuvendi dhe Kryesia;
- Numri i anëtarëve të Kryesisë së Nëndegës caktohet në varësi nga numri i anëtarësisë, por jo më pak se ( 9 ) nëntë;
- Kuvendi i nëndegës zgjedh kryetarin, zëvendësin dhe sekretarin e Kryesisë së nëndegës nga radhët e anëtarëve të Kryesisë, si dhe delegatët për Kuvendin e Degës;
- Numri i delegatëve të kuvendit të nëndegës është jo më pak se 41 delegat por mund të jetë më shumë varësisht prej numrit të anëtarëve në atë nëndegë.

Neni 39

- Për punën e vet Kuvendi i nëndegës paraqet raport dhe i përgjigjet Kuvendit të Degës;
- Kryesia e nëndegës, në marrëveshje me Kryesinë e Degës, bën harmonizimin e punës së aktiveve, si dhe kujdeset për zbatimin e vendimeve të organeve më të larta të LDD.

Neni 40

Aktivet e LDD

- Aktivet e LDD janë format themelore të organizimit të LDD;
- Aktivi mund të organizohet edhe në lokalitetet ku ekziston numri i vogël i anëtarëve të LDD;
- Në aktivet, ku numri i anëtarëve të LDD është mbi 100, Kuvendi zgjidhet sipas procedurës mbi zgjedhjet e Kuvendit, në përbërje prej 35 delegatëve;
- Në aktivet, ku numri i anëtarëve të LDD është nën 100, Kuvendin e aktivit e përbëjnë të gjithë anëtarët e LDD të atij aktivi.

Neni 41

- Kuvendi i Aktivit zgjedh Kryesinë e aktivit, e cila përbëhet prej së paku ( 7 ) shtatë anëtarëve, Kryetarin, zv/kryetarin dhe sekretarin nga rradhët e kryesisë, si dhe delegatët për Kuvend të Nëndgës;
- Organet e aktivit të LDD aktivitetin e vet e zhvillojnë në bashkërenditje me organet e nëndegës, përkatësisht të Degës së LDD dhe janë përgjegjëse para tyre.

Neni 42

Kuvendi i Degës, i Nëndegës dhe i Aktivit konvokohen dhe i aplikojnë në mënyrë identike dispozitat e këtij Statuti, që kanë të bëjnë me punën dhe me veprimtarinë e Kuvendit të LDD.

Neni 43

- Zgjedhja e delegatëve për Kuvendin e nëndegës dhe për Kuvendin e degës bëhet nga radhët e delegatëve, përkatësisht anëtarëve të Kuvendit të aktivit, përkatësisht të nëndegës dhe nga anëtarësia e gjerë e LDD, të cilët e kanë vendbanimin e përhershëm në territorin e aktivit, përkatësisht të nëndegës;
- Kuvendi i degës së LDD zgjedh delegatët për Konventën e LDD, nga përbërja e vet, si dhe nga anëtarësia e gjerë e territorit të degës dhe jashtë saj;
- Kuvendi i Degës së LDD nuk mund të zgjedh për delegatë në Konventën e LDD anëtarin e LDD, i cili ka hyrë më parë në procesin zgjedhor në ndonjë kuvend të ndonjë dege tjetër të LDD, pa marrë parasysh rezultatin e votimit për të.

Neni 44

- Me rastin e propozimit të secilit kandidat për t’u zgjedhur në organet e LDD, është e nevojshme të dihet deklarimi i tij paraprak për pranimin e kandidaturës;
- Deklarimi për pranimin e kandidaturës bëhet me gojë ose me shkrim;
- Në rastet kur kandidati i propozuar nuk deklarohet për kandidaturën, nënkuptohet si pranim në heshtje.

V. PËRGJEGJËSIA DISIPLINORE

Neni 45

Masat e përgjegjësisë disiplinore janë:

- Vërejtje me shkrim dhe
- Përjashtim nga anëtarësia e LDD.

- Anëtari i LDD është i detyruar t’i përmbahet Programit, Statutit të LDD, dhe vendimeve të organeve të LDD;
- Ndaj anëtarit të LDD, i cili vepron kundër Programit dhe Statutit të LDD, dhe kundër vendimeve dhe qëndrimeve të organeve të LDD, në të gjitha shkallët e organizimit të tyre, mund të shqiptohen masa disiplinore;
- Nëse ndonjë anëtarë i kryesisë, ose ndonjë anëtarë tjetër i LDD (në nivel Qendror, Degë, Nëndegë, Aktive) shkel rëndë Statutin dhe Programin e LDD si dhe vepron kundër vendimeve të organeve ekzekutive të LDD, ai anëtarë përjashtohet nga radhët e LDD;
- Vendimin mbi largimin e merr Kryesia e nivelit përkatës ekzekutiv të partisë;
- Nëse një anëtarë në organet ekzekutive, në të gjitha nivelet e LDD, mungon 5 ( pesë ) mbledhje radhazi pa arsye konsiderohet se me vetë dëshirë ka hequr dorë nga ai funksion në LDD, kjo nuk nënkupton se ai është larguar nga LDD.

Neni 46 

- Inicimin e procedurës disiplinore mund ta bënë, nivli përkatës ekzekutiv (aktivi, nëndega, dega dhe kryesia e LDD);
- Niveli përkatës ekzekutiv formon trupa punuese për vlerësimin e përgjegjësisë disiplinore;
- Personi ndaj të cilit zhvillohet procedura disiplinore i mundësohet pjesëmarrja në procedurë;
- Kundër vlerësimit të nivelit përkatës ekzekutiv, mund të ushtrohet ankesë nivelit më të lartë ekzekutiv, si organ i shkallës së dytë, në afat prej 8 ditësh nga dita e marrjes së vendimit;
- Ankesa nuk e ndalon ekzekutimin e vendimit ;
- Vendimi i shkallës së dytë është definitiv.

VI. MANDATI I ORGANEVE TË ZGJEDHURA

Neni 47

- Anëtarët e të dy organeve të zgjedhura të LDD zgjidhen në mandat prej (4) katër vitesh, ndërsa revokohen, respektivisht shkarkohen, në të njëjtën mënyrë sikur janë zgjedhur;

VII. MJETET FINANCIARE TË LDD

Neni 48

- LDD realizon të ardhura nga buxheti, anëtarësia, kontributet vullnetare, veprimtaria botuese dhe format e tjera të veprimtarisë afariste dhe të marketingut;
- Këshilli Kombëtar i LDD, me vendimin e vet, cakton lartësinë e anëtarësisë për çdo vit kalendarik, si dhe destinimin dhe mënyrën e shfrytëzimit të tyre;
- Për mjetet financiare të LDD, dhe mënyrën e shfrytëzimit të tyre, Kryesia e LDD i raporton Këshillit Kombëtar për çdo dy vite, përkatësisht Konventës së LDD;
- LDD ka xhirollogarinë e vet;
- Xhiro-llogari mund të hapin edhe degët e LDD;
- Kryesia e LDD, autorizon anëtarin e Kryesisë për deponim të nënshkrimit te banka e autorizuar.

VIII. KUSHTET NË TË CILAT PUSHON SË EKZISTUARI LDD

Neni 49

- LDD mund të pushojë së ekzistuari po qe se për këtë vendosin ¾ e të gjithë delegatëve në mbledhjen e rregullt apo të jashtëzakonshme të Konventës së LDD;
- Në rast të shuarjes nga alineja 1 e këtij neni, respektivisht në rast të shpërbërjes së LDD, së pari përmbushen të gjitha detyrimet ndaj kreditorëve, kurse pjesa e mjeteve të mbetura, me vendim të posaçëm të organit që merr vendim mbi shpërbërjen e LDD, do të shpërndahen në organizata humanitare vendëse;
- LDD mund të bashkohet me ndonjë parti tjetër,duke e ruajtur identitetin e vet politik, po që se për këtë vendosin ¾ e delegatëve të Konventës së LDD.

Neni 50

- Në bazë vendimeve të organeve të saj, LDD mund të lidhë koalicione parazgjedhore me subjektet e tjera politike.
- Në rast të koalicioneve parazgjedhore me subjektet e tjera politike konform paragrafit paraprak të këtij neni, LDD do ta ruaj identitetin dhe subjektivitetin e saj.

IX. DISPOZITAT KALIMTARE DHE TË FUNDIT

Neni 51

- Ndryshimet dhe plotësimet e Statutit dhe të Programit të LDD, bëhen sipas procedurës për nxjerrjen e tij;
- Iniciativën për plotësimin apo për ndryshimin e këtij Statuti mund ta japë Konventa e LDD, Kryetari, Këshilli Kombëtar, Kryesia e LDD-së, dhe Komisioni statutar;
- Ndryshimet dhe plotësimet e Statutit dhe të Programit të LDD i miraton Konventa e LDD.

Neni 52

Në qoftë se për shkak të natyrës urgjente, rrethanave të jashtëzakonshme apo rrethanave të tjera, plotësimet dhe ndryshimet e Statutit nuk mund të shqyrtohen dhe të miratohen në Konventën e LDD, këto ndryshime mund t’i bëjë Këshilli Kombëtar.

Neni 53

- Interpretimin autentik të këtij Statuti e bën Konventa e LDD;
- Shpjegimin për zbatimin e dispozitave të këtij statuti e jep Komisioni statutar;
- Tekstin e spastruar të Statutit dhe të akteve të tjera të LDD,e ruan Sekretari i Përgjithshëm dhe Komisioni statutar i LDD.

Neni 54

Ky Statut hyn në fuqi ditën e miratimit të tij në Konventën e LDD.

Kryetari i LDD-së
Akademik Nexhat Daci